Arkiva Kategorie: Rajoni

Kriza greke, europianët në protestë: “Ne jemi të gjithë grekë”

Një protestë në shenjë solidariteti pritet të marrë udhë ditën e nesërme në shumë vende europiane, kjo në kundërpërgjigje të krizës ekonomike greke.

Këto demostrata të cilat do të jenë një shtyllë e fortë për grekët, do të startojë nesër në orën 14:00, në çdo vend europian. Protesta do të mbahen përpara ambasadave dhe konsullatave greke në qytete të ndryshme të Europës, nga Parisi deri në Romë dhe nga Dusseldorfi në Madrid.

Me moton: «Ne jemi të gjithë grekë», një lëvizje mbarë europiane përmes rrjeteve sociale i ka bërë thirrje publikut ndërkombëtar, për një mobilizim ditën e nesërme, në shenjë solidariteti për popullin grek. 

E gjithë kjo maratonë protestash do të nisë për arsye tashmë të evidentuara prej kohësh, kjo ndaj krizës ekonomike dhe problemeve akute të shkaktuara nga shoqëria greke.

Ashtu siç theksohet në këtë thirrje, citohet se Greqia “është përdorur si një laborator, para se këto masa të përgjithësohen”, të cilat karakterizohen të padrejta nga ana shoqërore dhe jo demokratike.

“Popullit grek i nevojitet solidaritet ndërkombëtar dhe kërkon mbështetjen tonë. Le t’i përgjigjemi thirrjes së tyre. Jemi të gjithë grekë!”, theksohet në këtë thirrje.

Një protestë e tillë është planifikuar të mbahet dhe në Nju Jork, në parkun Zukoti.

Qosja: Pavarësia e Kosovës, ngjarja e dytë në 100 vite për popullin shqiptar

Rexhep Qosja i tha Zërit të Amerikës se shpallja e pavarësisë së Kosovës katër vjet më parë, ishte ngjarja e dytë më e madhe brenda një periudhe 100 vjeçare në historinë e popullit shqiptar. Në përvjetorin e katërt të pavarësisë së Kosovës, Qosja thotë se vendi ka mjaft sfida para vetes, por ndërtimi i shtetit është një proces dhe katër vjet janë pak për një shtet. Po gjatë kësaj periudhe tha ai, Kosova ka bërë disa përpjekje të suksesshme.

“E para ka bërë përpjekje të suksesshme në fushën e ndërtimit dhe stabilizimit, konsolidimit të institucioneve shtetërore dhe madje institucioneve shtetërore demokratike. Ka bërë përpjekje të suksesshme në fushën e ndërtimit dhe të konsolidimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka bërë përpjekje të suksesshme në ndërtimin dhe konsolidimin e policisë së Kosovës që janë dy sektorët them unë më të mirët, më të organizuar më shembullor në Kosovë. Ka bërë përpjeke të suksesshme në fushën e arsimit dhe disa fusha të tjera si biznesi”, tha akademik Qosja.

Por, ai tërheq vërejtjen se në disa fusha përpjekjet ishin më të pakta. “Më pak përpjekje të suksesshme janë bërë sidomos në fushën e shëndetësisë dhe fushën e kulturës. Po ashtu nuk mund të jemi të kënaqur me përpjekjet e bëra në parandalimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha ai.

Qosja nënvizon ndërkaq sfidën e veriut të Kosovës të banuar më shumicë serbe ku nuk njihen e nuk pranohen institucionet e shtetit të Kosovës. Ai tha se përpjekjet për shtrirjen e autoritetit të Prishtinës në veri të filluara në korrikun e vitit të kaluar ishin të rëndësishme.

“Por aty mjerisht do të ketë ende punë. Serbia përpiqet që t’i shkaktojë probleme e vështirësi Kosovës, Serbia financon institucionet paralele, në një mënyrë organizon dhe financon një krim në veriun e Kosovës, por me ndihmën edhe të faktorëve ndërkombëtarë edhe kjo do të kalohet një ditë, sigurisht jo larg dhe Kosova do të funksionoj ashtu si edhe po funksionon në krejt territorin e saj me përjashtim të veriut, si shtet sovran”, tha ai.

Akademik Qosja thotë se njohja e Kosovës nga mbi 80 vende të botës është njohje cilësore, meqë këtë e kanë bërë vendet më të rëndësishme të botës. Ai nënvizon ndërkaq rëndësinë që ka fakti se viti 2012 do të shënojë përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. /VOA/

Ka kohe per te gjitha

Ka kohe per te gjitha

Këngëtarja dhe arkitektja Eliza Hoxha në një bisedë për Express ka thënë se ajo e aranzhon kohën në mënyrë të atillë që ajo mos të ndikojë në jetën e saj private. Këngëtarja flet edhe për dy bashkëpunimet e saj të realizuar në fund të 2011-ës.

Edhe pse është arkitekte dhe ka shumë punë, Eliza Hoxha ka kohë për të gjithë. Këngëtarja, e cila pos që këndon, fokusin e saj e ka më tepër në profesionin e saj të arkitektes – është po ashtu edhe në bord të Galerisë Kombëtare të Artëve – ka thënë në një bisedë për Express se ajo di të aranzhojë kohën pavarësisht angazhimeve të shumta që ka.

“Nuk besoj që puna mund të jetë pengesë për çfarëdo relacioni, përderisa njeriu aranzhon suksesshëm kohën, angazhimet dhe përkushtimin e tij qoftë ai privat apo publik”, ka thënë këngëtarja për Express.

Ndryshe, këngëtarja ka ardhur me dy hite në fund të vitit 2011, duke e realizuar këngën “Nuk mundesh” si remix me DJ Dalool. Eliza thotë të jetë kënaqur me këtë këngë.

“Pas një punë të mirë dhe me shije të mirë gjithmonë ka hapësirë për bashkëpunime të reja. Le t’i mbetet kohës”, thotë ajo – duke paralajmëruar në njëfarë mënyrë bashkëpunime të reja me DJ Dalool, që tashmë ka bërë edhe disa bashkëpunime me këngëtarë të tjerë, si Genta Ismajli dhe NRG Band.

Ndërkaq, Eliza ka thënë se është e kënaqur edhe më paraqitjen e saj në “Këngët e shekullit”, një festival ky që transmetohet në TV Klan. Ajo thotë se pjesëmarrja në këtë festival ishte e jashtëzakonshme.

“Nata italiane ishte sfidë për mua, jo për faktin që nuk e njihja gjuhën, sa për faktin që çdo gabim sado të vogël gjuhësor gjatë interpretimit shqiptarët në Shqipëri do ta identifikonin duke qenë se e njohin gjuhën dhe muzikën italiane shumë”.

Tani Eliza thotë se e ka tejkaluar këtë sfidë me sukses, përderisa ka kënduar këngët e njohura dhe të mrekullueshme italiane si, “E poi” nga GIORGIA dhe këngët në duete me Roselën të divës së muzikës italiane MINA . “Pastaj nata franceze sikur mori një rrjedhë të natyrshme për të arritur me pas tek nata e këngëve amerikane, e cila ishte shumë më e afërt për mua si përmbajtje dhe si skenë në përgjithësi”, thotë ajo.

Por, pavarësisht shijes së mirë të pjesëmarrjes nëpër festivale nëpër Shqipëri (Eliza fitoi një edicion të Këngës Magjike), këngëtarja ende nuk ka menduar që këtë vit të marrë pjesë në ndonjë festival atje.

Ajo po ashtu ka thënë se është e kënaqur edhe me bashkëpunimin me rap-grupin Etnomenon (ish etno-engjujt), të cilin po ashtu e vlerëson shumë. “Bashkëpunimi me Etno Engjujt ishte po ashtu një eksperiencë e bukur në një projekt shumë të ndjeshëm dhe të veçantë. Aty ku komunikimi dhe qasja është e sinqertë çdo bashkëpunim rezulton suksesshëm”. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri

Socialistët, nismë ligjore për votën e emigrantëve

PS-ja, tur takimesh me shqiptarët në Ballkan dhe në emigracion. Takimi i parë, në Athinë

Vota e emigrantëve dhe kapitalizimi i saj elektoral në zgjedhjet e vitit 2013, kthehet në interes prioritar të Partisë Socialiste. E angazhuar së bashku me Partinë Demokratike në hartimin e Kodit të ri Zgjedhor, selia rozë ka nisur një fushatë sensibilizimi dhe komunikimi me shqiptarët që banojnë e jetojnë jashtë vendit, kryesisht në Greqi, me synim riintegrimin e tyre në vendimmarrje. Sekretari për Emigracionin në këtë parti, Erion Veliaj shprehet për gazetën “Shqip” se, takimet e muajit të fundit të Edi Ramës në mjaft qendra rajonale ku banojnë shqiptarë kanë pasur ndër të tjera, edhe synimin e nxitjes së ndikimit të tyre në jetën politike shqiptare, në një angazhim që po kristalizon përmasën nacionaliste edhe tek opozita. “Përpara se të jenë emigrantë, bashkatdhetarët tanë janë fillimisht shqiptarë, e PS-ja, si parti e shqiptarëve progresistë, e kushton këtë vëmendje kudo që ata janë, në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Luginën e Preshevës apo në vendet e BE-së. Fundviti i kaluar na bëri bashkë me shqiptarët në Prishtinë, Tetovë e Selanik, ku z. Rama pati dëgjesa e tubime tejet inkurajuese. Angazhimi ynë në 2012 është të vizitojmë çdo qendër të banuar me një numër të konsiderueshëm shqiptarësh, duke filluar nga fundi i janarit me një takim të madh në Athinë”, – tha Veliaj. Prej këtij rikthimi të politikës në kontakt aktiv me qytetarët, me një mesazh që e sheh audiencën edhe përtej kufijve, emigracioni shqiptar fiton peshë specifike, pasi ai me sa po duket, vlerësohet si një fond pasiv që mund të ndryshojë kahun e peshores. Në këtë drejtim, Veliaj sjell si referencë bazike Kushtetutën e vendit, ndërsa si shembull domethënës rastin e Kosovës. “Çështjes së votës së emigrantëve do t’i shkojmë deri në fund. Në shkurt do të kemi një prezantim publik të nismës, e cila më pas do të përcillet në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Mos harroni, Kosova ua mundësoi votën emigrantëve duke qenë 1 vit shtet – kurse ne me 100 vjet shtet, ende diskutojmë nëse motra apo vëllai ynë në emigracion duhet të lejohet të jetë vendimmarrës. E theksoj, ku ka vullnet, ka një rrugë. Nëse PD jep votat, kjo kalon. E kuptoj që emigrantët as i blen, as i heq dot nga puna, e as u bën dot presion banal elektoral si në Shqipëri, por kjo arsye nuk duhet të errësojë mendjet e pushtetarëve – fillimisht janë shqiptarë, pastaj militantë”, – tha Veliaj. Është vetë aktualizimi i çështjes në fjalë ai që i zë duart shumicës në pushtet të kundërshtojë nismën socialiste, e cila në vetvete paralelizon për nga rëndësia, me atë të sistemit elektoral ndaj të cilit ka pretendime se ka lënë pa përfaqësim në Kuvendin e Shqipërisë mbi 160 mijë votues shqiptarë. Me rëndësi specifike është fakti se për votimin e emigrantëve, për herë të parë kalohet nga retorika, në nismë konkrete ligjvënëse. Nga kjo pikëpamje mund të thuhet se për herë të parë që prej 1991-shit mundësohet që për Shqipërinë të vendosin praktikisht të gjithë ata që figurojnë në listat e zgjedhësve, dhe jo vetëm votuesit periodikë që jetojnë brenda vendit. Një tjetër element i nënvizuar nga Veliaj, ai ekonomik, e bën edhe më absurd raportin që klasa politike dhe pushteti ka krijuar me qytetarin shqiptar që jeton në emigracion; teksa pranon dhe i përllogarit remitancat e tij si kontribut dhe stabilizues financiar dhe ekonomik, e përjashton atë realisht nga e drejta për të zbatuar të drejtat e veta. Moralisht kjo do të thotë të konsiderosh të ardhurat nga emigracioni si një borxh të cilin nuk ke ndërmend ta kthesh më. “Censusi tregoi që Shqipëria ka mbi 1 milion emigrantë, e që çdo ditë e më shumë plot njerëz largohen. Çfarë do të bëjmë? Të presim sa të zbrazet vendi? Jo, duhen gjetur mënyra për t’i mbajtur të lidhur me Shqipërinë, e drejta e votës për të ardhmen e vendit është një mënyrë. Çdo vit të ardhurat e emigrantëve përbëjnë mbi 10% të PBB-së në vend. Pra, i pranojmë si aksionerë ekonomikë, por u refuzojmë aksionin politik. Kjo duhet të marrë fund; është çështje vullneti – mjafton që Kryeministri e të tijët të japin votat për këtë projekt e të mos pengojnë votimin e emigrantëve”, – tha Veliaj.