Bie konsumi i brendshëm, turizmi më pak se në 2010

Ulen shitjet në periudhën e pikut. Rritje vetëm te tregtia e farmaceutikës.

Shifrat e INSTAT: Tregtia me pakicë ra me 5.5% në muajt e verës.

Turizmi nuk e shpëtoi këtë vit ekonominë shqiptare. Treguesit e publikuar dje, me vonesë, nga INSTAT, qartësojnë se tremujori i tretë ka pasur një ulje të konsumit me 5.5 për qind në krahasim me vitin 2010. Të dhënat për tregtinë me pakicë, pra për atë që konsumohet nga qytetarët, flasin për një ulje të ndjeshme gjatë muajve të verës, korrik-gusht-shtator. INSTAT raporton për një rritje të tregtisë me pakicë në krahasim me një tremujor më parë, por të dhënat në tabelat shoqëruese tregojnë një tendencë edhe më të zymtë. Të gjithë treguesit janë përkeqësuar gjatë shtatorit, periudha që mbaron turizmi. Kjo mund të përkthehet me një rënie të ndjeshme të ekonomisë gjatë pjesës së fundit të vitit. Rënia e kërkesës së brendshme është një ndër treguesit kryesorë që mat rritjen ekonomike. E ndërthurur kjo edhe me krizën europiane, të paktën të dy partnerëve tanë kryesorë, ka pak mundësi që ekonomia shqiptare të ketë pësuar rritje gjatë këtij tremujori në krahasim me vitin 2010. Sidoqoftë, llogaritja e INSTAT-it nuk është bërë akoma publike për matjen e GDP-së.
Treguesit
Gjatë tre muajve të verës, ku pritej që turizmi të jepte efekte të mëdha në rritjen e kërkesës, shitjet me pakicë kanë pësuar rënie në krahasim me një vit më parë. Rënia ka filluar në korrik, është ulur disi në gusht, në kulm të sezonit turistik, dhe është rritur sërish në shtator me një vlerë negative prej 7.1 për qind më pak se në shtatorin e vitin 2010. INSTAT ka llogaritur edhe një shifër tjetër të frikshme për tregtinë, pra konsumin. Konsumi i brendshëm në shtator ka rënë edhe në krahasim me gushin. Indeksi i tregtisë me pakicë ra me 8.8 për qind nga gushti në shtator. Ndryshe nga sqarimi me fjalë i INSTAT-it, tabelat që shoqërojë njoftimin tregojnë se tregtia me pakicë, në krahasim me një tremujor më parë, ka rënë me 3.6 për qind, ndërsa në krahasim me një vit më parë, me 5.6 për qind. Bëhet fjalë për tregtinë, pa përfshirë karburantet dhe pjesët e këmbimit të makinave. Rritja e çmimit të naftës duket se ka rritur më shumë indeksin e tregtisë së karburanteve, me 8.7% në krahasim me një tremujor më parë dhe 15.8 për qind në krahasim me vitin e kaluar.
Ilaçet
Të gjithë zërat e tregtisë me pakicë kanë pësuar rënie në krahasim me vitin e kaluar dhe në krahasim me tremujorin e mëparshëm. Tregtia e ushqimeve, duhanit, pijeve, veshjeve, dhe të gjitha produktet që u nevojiten përditë qytetarëve kanë pësuar ulje të konsumit. I vetmi zë që ka rritje të afarizmit, pra të konsumit, janë ilaçet. Me një rritje prej vetëm 1.8 për qind, ilaçet bien në sy si zërit i vetëm pozitiv në tabelën e INSTAT-it. Duket se rënia e konsumit të ushqimeve dhe pijeve, ka çuar në rritjen e konsumit të ilaçeve. Edhe pse nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë statistikore, shifra vihet re qartë në buletinin e INSTAT-it.

Ndryshimi i indeksit te tregtise

Kushtetuesja, vendim për pagesën e dëmit për makinat

Gjykatat, për të vlerësuar dëmet që shkaktohen nga aksidentet duhet t’i referohen ligjit dhe jo interpretimeve të tjera subjektive. Duket pak paradoksal, por vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese sqaron pikërisht këtë përplasje ligjore që i ka kushtuar miliona lekë shoqërive të sigurimeve. Në vitin 2007, me një vendim unifikues, Gjykata e Lartë vendosi që hapësirat në ligj për dëmshpërblimin e palëve të treta të interpretoheshin nga gjykatësit sipas rasteve. Ky vendim i Gjykatës së Lartë u pasua me dhjetëra vendime nga gjykatat e shkallëve të tjera, të cilat bënin dy interpretime të ndryshme me vlera monetare të ndryshme për të njëjtin rast sigurimi. Në vitin 2009, Kuvendi miratoi një ligj të ri për sigurimet, i cili plotësoi të gjitha hapësirat e ligjeve të mëparshme. Por edhe pas këtij ligji të ri, gjykatësit e kishin të vështirë të interpretonin vlerën e dëmit, pasi kishin përpara edhe ligjin e Kuvendit edhe vendimin e Gjykatës së Lartë. Pas vendimit të djeshëm të Kushtetueses, do të jenë tabelat e ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, të vitit 2009, ato që do të shërbejnë si referencë për pagesën e dëmeve nga shoqëritë e sigurimit.

PROBLEMI

Në vitin 2007, Gjykata e Lartë, me vendim unifikues vendosi që në raste të caktuara, ku ligji për sigurimin e detyrueshëm nuk përcaktonte qartë vlerën e dëmit, të ishin gjykatësit ata që do të vlerësonin se sa do të ishte vlera e dëmshpërblimit. Bëhet fjalë për dëme ndaj të tretëve, si rastet kur në aksidente ka plagosje apo vdekje dhe personat e dëmtuar nuk kanë të siguruar jetën apo shëndetin. Në shpjegimin e vendimit, Kushtetuesja tregon se Gjykata e Lartë, nisur nga qëndrimet e ndryshme të gjykatave për sa i përket zbatimit të ligjit lidhur me rrethin e personave të dëmtuar, të drejtën e përfitimit të dëmshpërblimit për dëmet jashtëkontraktore dhe mënyrën e llogaritjes së tij, veçanërisht atij jopasuror, vlerësoi se kishte vend për të mbajtur një qëndrim të unifikuar në lidhje me këto çështje. Në kohën kur Gjykata e Lartë mori vendimin, ligjet kishin hapësira interpretimi dhe gjykatat për çështje të caktuara merrini vendimi të ndryshme. Në vendimin unifikues të shtatorit 2007, Gjykata e Lartë i dha një hapësirë shumë të madhe vlerësimit të gjyqtarëve për dëmin që duhet të paguhet nga shoqëritë e sigurimit. “Gjykatat duhet të mbështeten në vlerat përkatëse të përcaktuara nga aktet ligjore në fuqi, dhe vetëm në mungesë të këtyre kritereve tabelare ato vendosin sipas bindjes së tyre, duke lënë të lirë mundësinë e përcaktimit të masës së dëmshpërblimit rast pas rasti”. Pikërisht kjo hapësirë, e gërshetuar edhe me abuzimet që bëjnë vlerësuesit e dëmit, çoi në një rritje shumë të madhe të masës së dëmshpërblimit.

PËRPLASJA

Në vitin 2009, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin e ri për siguracionet. Ky ligj, ndryshe nga ligjet e mëparshme, i ka të përcaktuara qartë të gjitha llojet e dëmit që duhet të paguajnë shoqëritë e sigurimeve. Udhëzimet që shoqëruan këtë ligj kanë detajuar në tabela të gjitha dëmet e janë përcaktuar edhe rastet kur duhet përfituar dëmshpërblimi. Por, gjykatat në vend vazhdonin të interpretonin, sipas rastit, jo në bazë të ligjit të miratuar nga Kuvendi në vitin 2009, por në bazë të vendimit unifikues të miratuar nga Gjykata e Lartë në vitin 2007. Ankesën në Gjykatën Kushtetuese e ka bërë Gjykata e Shkallës së Parë, e cila për një rast dëmshpërblimi nga një aksident me pasojë vdekjen, nuk mund të merrte vendim, pasi edhe ligji edhe vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë kanë të njëjtën vlerë për gjykatat e shkallëve më të ulëta.

ZGJIDHJA

Kushtetuesja, në interpretimin e kërkesës së Gjykatës thekson qartë se për të marrë një vendim gjykatësit duhet t’i referohen ligjit dhe jo vendimit unifikues. Ajo arsyeton se ligji i ri, i vitin 2009, i ka mbushur hapësirat që kishin ligjet e tjera të viteve të mëparshme. Në këtë mënyrë, zbatimi i vendimit unifikues do të ishte jo i nevojshëm. Kushtetuesja thekson se ligji i ri, ai i viti 2009, ka pasur si synim rregullimin e plotë të fushës së sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit, duke parashikuar detyrimet e siguruesit dhe të të siguruarit, kushtet dhe tarifat e sigurimit të detyrueshëm, të drejtën e palës së dëmtuar të paraqesë kërkesë për dëmshpërblim, procedurën dhe afatet për rregullimin e shpërblimit të dëmeve, përgjegjësinë e shoqërisë së sigurimit dhe shumën e siguruar (kufiri i mbulimit) sipas figurave të dëmit etj. Sipas Kushtetueses, ligji përcakton tashmë edhe kriteret tabelore ligjore, ku duhet të mbështeten gjykatat për përcaktimin e vlerës së dëmshpërblimit, të cilat mungonin në momentin e daljes së vendimit unifikues. “Ligji i ri, duke bërë një rregullim specifik të formulës së llogaritjes, ka vendosur rregulla të përgjithshme për çdo subjekt sigurimi dhe standarde të njëjta në trajtimin e vlerësimin e pagesave të dëmeve në territorin e Republikës së Shqipërisë. Me këtë ligj të posaçëm ligjvënësi plotësoi boshllëqet ligjore që ekzistonin në këtë fushë, që nxitën dhe sollën nevojën për interpretimin e disa dispozitave të përgjithshme të Kodit Civil nga ana e Gjykatës së Lartë”.

Pensionet e ushtarakëve, emrat e 80 përfituesve

ISSH: Pagesat janë lidhur që më datë 12 shkurt.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka përfunduar me llogaritjen dhe përcaktimin e masës së përfitimit edhe për 80 ish-ushtarakë. Gazeta publikon sot emrat e atyre që u është lidhur përfitimi që në datën 12 shkurt dhe që mund ta tërheqin atë nga llogaritë e tyre. Pjesa më e madhe e përfitimeve janë pensione suplementare pleqërie dhe më pak pensione të parakohshme. Në listën e ISSH-së rezulton që përfituesit janë nga Tirana, Kukësi, Fieri, Durrësi Vlora, Shkodra dhe Lezha. Instituti i Sigurimeve Shoqërore ndërkohë është duke punuar për të lidhur përfitime të tjera të ish-ushtarakëve që përfitojnë sipas ligjit në fuqi.

Nr.    Rajoni    Emer    Atesi    Mbiemer    Lloji Perfitimit
1    Shkoder    Adem    Qazim     Mlloja    Suple.Pleqerie
2    Gjirokaster    Agim    Halil     Haska    Suple.Pleqerie
3    Vlore    Agron    Mahmut    Xhaferri    P.Parakohshem
4    Gjirokaster    Arben    Spiro    Vezuli    P.Parakohshem
5    Kukesi    Azem     Halit    Cengu    Suple.Pleqerie
6    Vlore    Baftjar    Muharrem    Mullai    Suple.Pleqerie
7    Shkoder    Bardhyl    Novruz    Hasani    Suple.Pleqerie
8    Fieri    Bekim    Mehmet    Ajasllari    P.Parakohshem
9    Shkoder    Besnik    Shyqeri    Haxhija    Suple.Pleqerie
10    Shkoder    Bilbil    Mehdi    Sinani    Suple.Pleqerie
11    Vlore    Caush    Tafil    Ribaj    Suple.Pleqerie
12    Vlore    Çelo    Sefo    Lutaj    Suple.Pleqerie
13    Vlore    Çuman    Hader    Barjamaj    Suple.Pleqerie
14    Vlore    Dalip    Demir    Dalipaj    Suple.Pleqerie
15    Shkoder    Ded    Llesh    Ndrekaj    Suple.Pleqerie
16    Gjirokaster    Dhionis    Polo    Xhavara    Suple.Pleqerie
17    Gjirokaster    Diftir    Feti    Stroka    Suple.Pleqerie
18    Shkoder    Dode    Martin    Vucaj    Suple.Pleqerie
19    Vlore    Edmond    Llambro    Dhimogjini    Suple.Pleqerie
20    Shkoder    Enver    Murat    Bajraktari    Suple.Pleqerie
21    Shkoder    Enver    Murat    Bajraktari    P.Parakohshem
22    Lezha    Fadil    Tahir    Dushku    Suple.Pleqerie
23    Lezha    Fran    Vlash    Merçina    Suple.Pleqerie
24    Kukesi    Gafurr    Hasan    Corapi    P.Parakohshem
25    Lezha    Gjergj    Palok    Toni    Suple.Pleqerie
26    Fieri    Gjergji    Ilia     Lino    Suple.Pleqerie
27    Lezha    Gjin    Frrok    Prenga    Suple.Pleqerie
28    Vlore    Halil    Hyso    Bregasi    Suple.Pleqerie
29    Shkoder    Halil    Veli    Beqiri    Suple.Pleqerie
30    Shkoder    Halil    Veli    Beqiri    P.Parakohshem
31    Fieri    Hasan    Avdyl    Rustemaj    Suple.Pleqerie
32    Kukesi    Hazir    Bajram    Kingji    P.Parakohshem
33    Vlore    Hibro    Zeqir    Lushaj    Suple.Pleqerie
34    Kukesi    Hysen    Mehmet    Grosha    Suple.Pleqerie
35    Fieri    Jani    Koli    Gjini    Suple.Pleqerie
36    Kukesi    Kadri    Kasam    Gjuta    P.Parakohshem
37    Shkoder    Kole    Sokol    Sokoli    Suple.Pleqerie
38    Gjirokaster    Kristaq    Laze    Nora    P.Parakohshem
39    Fieri    Margarit    Pano    Prifti    Suple.Pleqerie
40    Shkoder    Mark    Ndoc    Fjerca    P.Parakohshem
41    Gjirokaster    Marko    Kristo    Konomi    Suple.Pleqerie
42    Vlore    Mehmet    Veli    Allushaj    Suple.Pleqerie
43    Shkoder    Mhill    Dede    Pali    Suple.Pleqerie
44    Fieri    Muharrem Sulo    Llakaj    Suple.Pleqerie
45    Vlore    Myrteza    Zoto    Mara    Suple.Pleqerie
46    Kukesi    Nazif    Qamil    Cengu    Suple.Pleqerie
47    Vlore    Nderim    Eqerem    Bregu    Suple.Pleqerie
48    Lezha    Ndoc    Trim    Sokoli    Suple.Pleqerie
49    Shkoder    Ndoc    Zef    Pjetri    Suple.Pleqerie
50    Fieri    Osman    Faik    Kosova    Suple.Pleqerie
51    Lezha    Pashk    Kol    Marku    Suple.Pleqerie
52    Vlore    Pavllo    Vangjel    Xhaxho    Suple.Pleqerie
53    Vlore    Petro    Ilia    Naço    Suple.Pleqerie
54    Vlore    Pilo    Koste    Lesko    Suple.Pleqerie
55    Vlore    Qamil    Alush    Trimi    Suple.Pleqerie
56    Lezha    Rasim    Seit    Zeqja    Suple.Pleqerie
57    Gjirokaster    Reshat    Haredin    Sulaj    P.Parakohshem
58    Vlore    Ruzhdi    Kojdhel    Rrapaj    Suple.Pleqerie
59    Lezha    Sako    Nevruz    Mehmeti    Suple.Pleqerie
60    Vlore    Sali    Shaban     Shembitraku    Suple.Pleqerie
61    Lezha    Sami    Mujo    Reçi    Suple.Pleqerie
62    Vlore    Sefi    Zalo    Beqo    Suple.Pleqerie
63    Fieri    Selim    Zenel    Buçpapaj    P.Parakohshem
64    Fieri    Selim    Zenel    Buçpapaj    Suple.Pleqerie
65    Vlore    Shako    Delo    Haxhiraj    Suple.Pleqerie
66    Vlore    Spiro    Paskal    Kokuri    Suple.Pleqerie
67    Gjirokaster    Stiliano    Jorgji    Bizbiqi    Suple.Pleqerie
68    Vlore    Sulo    Muhamet    Hasko    Suple.Pleqerie
69    Gjirokaster    Valentina    Kristo    Bineri    P.Parakohshem
70    Fieri    Vangjel     Koli    Petro    Suple.Pleqerie
71    Gjirokaster    Vasil    Andon    Proko    Suple.Pleqerie
72    Fieri    Vasil    Pandeli    Hysi    Suple.Pleqerie
73    Gjirokaster    Vasiliqi    Jani     Xhavara    Suple.Pleqerie
74    Gjirokaster    Veli    Tafil    Pasho    Suple.Pleqerie
75    Vlore    Vera    Rapo    Lesko    Suple.Pleqerie
76    Vlore    Vero    Zenel    Spaho    Suple.Pleqerie
77    Gjirokaster    Vilson    Resul    Hoxha    P.Parakohshem
78    Shkoder    Voc    Dede    Mjetaj    Suple.Pleqerie
79    Vlore    Ymer    Elmas    Dervishi    Suple.Pleqerie
80    Vlore    Zenun    Seit    Fega    Suple.Pleqerie

Tek Bajerni, grindje për bluzën e Mesit.

Vetëm e vetëm për të ndërruar fanellën e tyre me Lionel Mesin, dy futbollistë të Bajer Leverkusen janë grindur me njëri-tjetrin. E pabesueshme por e vërtetë, por gjithçka ka ndodhur gjatë ndeshjes së Ligës së Kampioneve ndërmjet Bajer Leverkusen dhe Barcelonës. Protagonistët e këtij debati kanë qenë Manuel Friedrish dhe Mikael Kadlec. Sipas shtypit gjerman, debati ndërmjet këtyre dy futbollistëve ka lindur që në përfundim të pjesës së parë: “Manuel më ka vjedhur idenë e ndërrimit të fanellës me Mesin përpara përfundimit të takimit – tregon autori i golit të vetëm për Bajer, Kablec – i cili më pas arriti ta sigurojë fanellën e Mesit, të cilën tregon se do ta vendosë në shtëpinë e tij”. Ky episod ka tërbuar shtypin gjerman, i cili tani është hedhur në sulm kundrejt mbrojtësit gjermanit dhe atij çek: “Këtyre dy futbollistëve të mirëpaguar duhet t’u vijë turp që zihen për fanellën e Mesit dhe jo për golin e Aleksis Sançez”, i ka sulmuar ata e përditshmja “Bild”, e cila e ka përkufizuar “të neveritshëm” sjelljen e të dyve. Ndërsa “SZ” ironizon, duke thënë se Mesi ka gjetur “më shumë fansa se kundërshtarë”, në Bayer-Arena.

Bakaj ikën nga rumunët e Dinamos, ja prapaskenat.


Elis Bakaj

“Në fillim nuk donin të largohesha, tani duan parà”

Elis Bakaj është drejt divorcit zyrtar me Dinamon e Bukureshtit. Fantazisti hasi në probleme pas ndërrimit të trajnerëve, duke mos pasur mbështetje nga tekniku i ri, Liviu Ciobotariu. “Po, ju kam kërkuar që të iki, madje ta prish edhe kontratën. Në fillim nuk donin, kurse tani më kërkojnë para për kartonin”, ka thënë 25-vjeçari për “Panorama Sport”. Gjatë këtij sezoni, Elis Bakaj ka luajtur gjithnjë e më pak, pa ndonjë motiv thelbësor, por thjesht për shkak se ndryshoi trajneri i skuadrës. I pafat edhe nga një dëmtim që e mbajti për më shumë se një muaj jashtë fushës, mesfushori humbi terren karshi rivalëve të tij, ndërsa tekniku Liviu Ciobotariu filloi të mbështeste vetëm lojtarët e krahut të tij. Sapo nisi merkatoja e janarit, Bakaj i kërkoi klubit që të largohej, qoftë edhe në formë huazimi, por me qëllimin që të luante. Drejtuesit ishin dakord, por trajneri kundërshtoi duke i thënë se e donte në ekip dhe e kishte në planet e tij. Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe lojtari dogji mundësinë që të shkonte në skuadra që i ofronin vërtetë shumë para si Çernomorets, apo edhe në Izrael. I zhgënjyer dhe i gjendur në një situatë të vështirë, lojtari kërkoi edhe njëherë largimin, ose huazimin të paktën në ndonjë klub rumun, meqenëse aty merkatoja mbyllet më 22 shkurt. Kërkesa e tij përçau drejtuesit e klubit. Një pjesë donin ta mbanin, disa të tjerë ta huazonin brenda kampionatit rumun, ndërsa të tjerë donin që të prishnin fare kontratën me të. Në fund, drejtuesit e klubit vendosën që ai të largohej, qoftë edhe në formë huazimi, duke respektuar vullnetin e lojtarit. Në këtë moment del sërish në skenë trajneri Ciobotariu që hedh idenë se lojtari nëse kërkon të prishë kontratën, atëherë duhet të shkojë në një klub që paguan për kartonin e tij. Këtu i hapet një tjetër problem futbollistit të Shqipërisë, që tani e ka të pamundur të transferohet në ndonjë skuadër të mirë perëndimore, pasi merkatoja në shumicën e vendeve është mbyllur. I pyetur nga gazeta, ish-futbollisti i Dinamos dhe Partizanit pohon se i ka bërë kërkesë klubit edhe për prishje kontrate, por ata tani kërkojnë edhe para për kartonin e tij. “I bëra kërkesë klubit në fillim dhe ma refuzuan, duke më kërkuar të qëndorja. Tani që u mbyll merkatoja, më thonë se jam i lirë të iki, por duhet një klub që të mund të paguajë kartonin tim. Nuk kam çfarë të bëj. Nëse nuk do të huazohem në ndonjë skuadër tjetër rumune brenda pak ditëve që kanë ngelur, atëherë do të qëndroj këtu deri në fund të sezonit”, është shprehur mesfushori.

Salihi pa vizë, shqetësohen amerikanët
Hamdi Salihi nuk i është bashkuar ende skuadrës së tij të re, DC Jinajtit, në kampionatin amerikan të futbollit. Arsyeja është krejt burokratike, por që ka shqetësuar jo pak drejtuesit e skuadrës amerikane. Sulmuesi shqiptar nuk është pajisur ende më një vizë hyrëse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe kjo gjë ka bërë që lojtari të mos jetë ende pjesë e seancave stërvitore të kësaj skuadre. Nga informacionet mësohet se lojtari ka paraqitur një herë dokumentacionin në Ambasadën Amerikane në Austri, por atij i janë kërkuar dokumente shtesë, duke qenë se në këtë vend tashmë nuk do të shkojë si një turist i thjeshtë, por si një kontraktor (punëtor). Pritet që në ditët në vazhdim lojtari të mund të zgjidhë këtë problem burokratik.

Bogdani dhe Ujkani, ftesa nga De Biazi
Erjon Bogdani dhe Samir Ujkani do të jenë pjesë e skuadrës sonë kombëtare për ndeshjen miqësore ndaj Gjeorgjisë më 29 shkurt në Tbilisi. Lajmi është konfirmuar nga mediat italiane, të cilat kanë pohuar se si sulmuesi dhe portieri kanë marrë tashmë ftesat e tyre nga trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi. Ky i fundit e ka shprehur edhe më parë në intervistat e dhëna se do mbështetet kryesisht te lojtarët që luajnë në kampionatin italian, duke identifikuar Lorik Canën, Samir Ujkanin dhe Erjon Bogdanin si shtyllat e skuadrës së tij për kualifikimet e Botërorit 2014. Ndërkohë, kujtojmë se Bogdani nuk ka luajtur ende një ndeshje me skuadrën e tij të re, Sienën, pas transferimit në janar nga Çezena. Ndërsa Ujkani ka shkëlqyer në ndeshjen ndaj Interit.

Rrahja e grave, deri në 5 vjet burg


Komisioni i Ligjeve

Maxhoranca propozon ndryshime drastike në Kodin Penal për dhunën në familje. Dhjetëfishohen dënimet.

Krimet mizore ndaj grave shtatzëna e fëmijëve nuk përfitojnë falje.

Maxhoranca ashpërson legjislacionin lidhur me fenomenin e dhunës në familje, ndaj grave dhe fëmijëve. Rrahja apo çfarëdo vepër dhune në familje do të dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 5 vite heqje lirie. Komisioni Parlamentar i Ligjeve ka miratuar dje në parim ndryshimet në katër draftet e Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Propozimi për dënimin deri në 5 vite burgim të individëve që keqtrajtojnë gratë apo bashkëjetueset, është propozuar dje nga deputeti i Partisë Demokratike, Viktor Gumi dhe pritet të jenë pjesë e Kodit Penal, pasi ka marrë dakordësinë e palëve në parim. Ndryshimet që propozohen, kanë të bëjnë me nenin 90 të Kodit Penal, që i është shtuar një paragraf i ri, në të cilin specifikohet masa e dënimit nga 6 muaj deri në 5 vite. Gjithashtu do të shtohet neni 65/a në Kodin e Procedurës Penale, që ka të bëjë me periudhën e sigurisë të cilën do të vuajë shkelësi i ligjit. Në amendimet e propozuara përjashtohet dhënia e lirisë me kusht apo falja e dënimit nëse konstatohet dhunë e kryer me mizori apo egërsi ndaj grave shtatzëna, fëmijëve apo personave të tjerë të paaftë për t’u mbrojtur. “Këto tekste janë të formuluara posaçërisht të vendosura për një institut të ri të vendosur për çështjen e sigurisë, sikur parashikohet në nenin 65/a, që është huazuar nga Kodi francez dhe posaçërisht: Gjykata në dhënien e vendimit, mund të vendosë edhe caktimin e një periudhe sigurie, gjatë së cilës nuk lejohet zbatimi i nenit 64,65,70 (lirimi me kusht dhe falja) të këtij Kodi, në rastet kur ekziston një nga këto rrethana: ‘Kryerja e veprës penale është bërë me egërsi dhe mizori; Kur vepra është kryer kundër fëmijëve, grave shtatzëna ose personave që për shkaqe të ndryshme nuk mund të mbrohen. Kur vepra është kryer duke përfituar nga marrëdhëniet familjare ose të bashkëjetesës; Kur kryerja e veprës penale është shtyrë nga motive që kanë të bëjnë me gjininë, racën, fenë, kombësinë, gjuhën, bindjen politike, fetare ose sociale”, thuhet në amendimet e deputetit demokrat. Për specialistin e PD-së, periudha e sigurisë do të kryhet e plotë dhe me dënimin e plotë, nëse do të ushtrohen aktet e dhunës ndaj shtesave të ndryshme. “Periudha e sigurisë shtrihet për afatin kohor nga 2/3-at e vendimit të dhënë nga gjykata deri në kohëzgjatjen e plotë të dënimit penal. Periudha e sigurisë do të thotë në vetvete vendosje e një afati minimal dhe një afati maksimal, nga një afat kohor nga 2/3-at e vendosura nga gjykata deri në ekzekutimin e plotë të dënimit penal, brenda të cilit gjykata me vendim nuk lejon që të kryhet lirimi me kusht apo falja”, theksoi Gumi.
Iniciativa
Anëtari i Partisë Demokratike në Komisionin e Ligjeve theksoi se ndryshimet për ashpërsimin e legjislacionit për dhunën në familje vijnë pas kërkesës së bërë nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Socialiste kërkesave të organizatave jo fitimprurëse dhe letrave të ambasadorëve të akredituar në Tiranë, që kërkojnë ndaljen e fenomenit të dhunës. “Spuntoja kryesore për këto ndryshime ka ardhur nga sugjerimet e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale dhe një sërë organizatash të tjera vendëse dhe të huaja dhe me një letër të ambasadorëve të huaj në Shqipëri, që kërkojnë masa të posaçme penale për dhunën në familje”, tha deputeti demokrat. Amendamentet e paraqitura dje në Komisionin e Ligjeve pritet të diskutohen në mbledhjen e sotshme. Deputetet e opozitës kanë dhënë votën e tyre pro në parim dhe pritet që ky ndryshim i rëndësishëm, që kërkon 84 vota në Parlament, të miratohet me konsensusin e të dy palëve.

Amendamentet e Viktor Gumit
I. Pas nenit 90 shtohet neni 90/a me këtë përmbajtje:

Neni 90/a
Dhuna në familje
Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, e kryer nga autori i veprës ndaj personit që ka ose ka pasur marrëdhënie bashkëshortore apo bashkëjetese, dënohet me burgim nga 6 muaj gjer në 5 vjet.

Nenin 65/a
Periudha e sigurisë
Gjykata në dhënien e vendimit mund të vendosë edhe caktimin e një periudhe sigurie, gjatë së cilës nuk lejohet zbatimi i nenit 64,65,70 (lirimi me kusht dhe falja) të këtij Kodi, në rastet kur ekziston një nga këto rrethana:
a. Vepra penale, masa e dënimit të së cilës është mbi 5 vjet;
b. Kryerja e veprës penale është bërë me egërsi dhe mizori;
c. Kur vepra është kryer kundër fëmijëve, grave shtatzëna ose personave që për shkaqe të ndryshme nuk mund të mbrohen;
d. Kur vepra është kryer duke përfituar nga marrëdhëniet familjare ose të bashkëjetesës;
e. Kur kryerja e veprës penale është shtyrë nga motive që kanë të bëjnë me gjininë, racën, fenë, kombësinë, gjuhën, bindjen politike, fetare ose sociale.

Periudha e sigurisë shtrihet për afatin kohor nga 2/3-at e vendimit të dhënë nga gjykata deri në kohëzgjatjen e plotë të dënimit penal.

PD-PS, shfuqizohet neni për “shpifjen” ndaj Presidentit

Konsensusi mes maxhorancës dhe opozitës
Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje në parim katër draftet e propozuara për ndryshimet në Kodin Penal. Partia Socialiste është tërhequr nga qëndrimi për të hedhur poshtë nenin 318 të Kodit Penal, që lidhet me shpifjen ndaj Presidentit të Republikës. Ky nen parashikon sanksionin kur kryhet vepra e shpifjes ndaj kreut të shtetit. Në këtë nen thuhet se “shpifja e qëllimshme ndaj Presidentit të Republikës dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”. Ndryshe nga qëndrimi paraqitur në seancën e mëpasshme, relatorja e Partisë Socialiste në Komisionin e Ligjeve, Ermonela Felaj, theksoi se opozita bie dakord me maxhorancën për të shfuqizuar këtë nen, që parashikon masa ndëshkimore deri në tri vite burgim. ”Për nenin 241, shpifja ndaj Presidentit të Republikës, ne biem dakord që neni për shpifjen ndaj Presidentit të shfuqizohet, sipas arsyetimit që gëzojnë të gjithë funksionarët e tjerë”, theksoi Felaj. Relatorja e PS u shpreh më tej se: “Neni 318 (fyerja ndaj gjyqtarit) do të ishte mirë që të qëndrojë për t’i dhënë mbrojtje të posaçme dinjitetit të funksionit dhe solemnitetit të seancës gjyqësore, por duhet të shfuqizohet dënimi me burgim”, theksoi deputetja e PS. Anëtarët e opozitës në Komisionin e Ligjeve shprehen kundër heqjes nga Kodi Penal të neneve që kanë të bëjnë më fyerjen, shpifjen. Sipas deputetes së PS-së, gjoba e parashikuar prej 3 milion lekësh është e një niveli të lartë dhe diskriminuese për gazetarët. “Nenet 119 (fyerja); 120 (shpifja); 239 (fyerje për shkak të detyrës); 240 (shpifja për shkak të detyrës) nuk duhet të shfuqizohen. Propozimi ynë është të shfuqizohet vetëm sanksioni i dënimit me burgim, duke i klasifikuar si kundërvajtje penale që dënohen më gjobë. Kufiri i sipërm i gjobës që parashikon ligji (3 milionë lekë) duket i lartë dhe mund të konsiderohet diskriminues për një gazetar, ndaj do të ishte me vend që masa e saj të përcaktohet në sanksionin e dispozitës”, tha deputetja e PS.

“Kur loti ngrin në qepallë”, dramë me motive nga Kadare e Gërvalla

Muaji i aktiviteteve “Një komb, një kulturë” vazhdon me një pjesë homazh për vëllezërit Gërvalla. Pas “Natës së Helverit” me regji të Altin Bashës dhe interpretimit të dy aktorëve të Prishtinës, në skenën e Teatrit Kombëtar ngjitet trupa e Teatrit “Istref Begolli” të Pejës. Atmosfera e luftës zhvendoset nga vitet ’40, më afër në kohë, në vitet ’80, në periudhën e acarimit të konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës. Temat mbi luftën e Kosovës vazhdojnë të jenë ende në qendër të krijimtarisë së artistëve kosovarë. Pejanët vijnë me pjesën “Kur loti ngrin në qepallë”, e ndërtuar mbi motive të veprës së Ismail Kadaresë dhe Jusuf Gërvallës. Artistët Nimon Muçaj dhe Jahi Jahiu kanë përshtatur një dramë-biografi mbi motive politike dhe të historisë së Kosovës nën Jugosllavinë, që u kushtohet vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekës, të vrarë në janar të vitit 1982. E konceptuar në formën e një drame, ajo vjen nën interpretimin e aktorëve Andi Gervalla, Luan Daci, Armend Baloku, Rudina Zhara, Doruntine Gerguri, Muradie Muriçi, Nimon Muça, Myrvete Kurtishi etj. Pjesa u ngjit së pari në skenën kosovare me rastin e 30-vjetorit të vdekjes së këtyre dëshmorëve të Kosovës e më pas në skenën e Shkupit, ku u zhvilluan edhe të tjera aktivitete përkujtimore për nder të tyre. Dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka u vranë në Gjermani më 17 janar 1982 në një atentat makabër, i cili u faturohet shërbimeve sekrete jugosllave. Regjisori Jahi Jahiu e ka ndarë dramën në dy pjesë, ku në të parën trajtohet krimi i organizuar nga forcat serbe, ndërsa në pjesën e dytë, ai përgjithëson dhimbjen e nënave, përmes ligjërimit epik. Kjo vepër-homazh nuk i takon vetëm atdhetarizmit të këtyre figurave. Njëri prej tyre, Jusuf Gërvalla, ishte një nga poetët dhe shkrimtarët më premtues të kohës. Disa nga përmbledhjet që ai arriti të botonte, janë “Fluturojnë e bien”, “Kanjushë e verdhë”, “Shtëpia në kornizë”, “Skena nga jeta e fshatit”, “Shenjat e shenjta”.

Shuhet Marinova, përkthyesja e Kadaresë e Migjenit

Përkthyesja bullgare, e cila bëri të komunikonte për herë të parë me botën letërsinë e Kadaresë, u nda nga jeta. Marina Marinova, një nga figurat kryesore në kritikën e letërsisë ballkanike në vitet mes dy luftërave botërore, ndërroi jetë në moshën 81-vjeçare. Puna e saj për përkthimin e letërsisë shqipe nisi në vitin 1958, duke u bërë përkthyesja e parë në gjuhën bullgare të Migjenit. Një përmbledhje me veprën e tij u botua me rastin e 20- vjetorit të vdekjes së poetit. Në vitin 1966, Marina Marinova përktheu në bullgarisht romanin e Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, të cilin ajo e kishte përkthyer qysh si ai ishte në trajtat e një tregimi e më pas një vepër e plotë. Rëndësia e përkthimit të Marinovës qëndron në faktin që ai ishte i pari, që do u hapte rrugën edhe shumë të tjerëve. Marina Marinova ka përkthyer në bullgarisht veprat e Kadaresë “Kush e solli Doruntinën”, “Eskili, ky humbës i madh”, “Koncert në fund të dimrit”, “Qorrfermani”, “Kamarja e turpit”, “Prilli i thyer” e shumë të tjera. “Ajo që bëri më shumë përshtypje ishin novelat, motivi i folklorit në to, që ne i kemi të përbashkëta, duke u njohur si balada mite. Sidomos me veprën “Kush e solli Doruntinën”, me motivet e kësaj vepre, ai vërtet krijoi një tjetër hapje, e cila jo vetëm që u pëlqye në Bullgari, por e kanë vërtetuar si kryevepër”, do të thoshte përkthyesja herën e fundit që ishte në Shqipëri. Por përkthyesja bullgare nuk u ndal te Kadareja, ajo i çoi lexuesit bullgar edhe vepra të Besnik Mustafajit, Dritëro Agollit, Rexhep Qoses.
Në vitin 2005, Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, e dekoroi me urdhrin “Medalje mirënjohjeje” për kontributin e saj në njohjen e letërsisë shqiptare në Bullgari dhe veprimtarinë e saj shumëvjeçare në dobi të kulturës shqiptare. “Nderimi që m’u dha nga shteti shqiptar, më ka gëzuar shumë. Me kënaqësitë nuk ka vonesa, ajo mund të të jepet në çdo kohë dhe mbas shumë vjetësh. Nuk ka fort rëndësi. Kryesore është se çmimi që më dhanë, po më shtyn të punoj me forca të reja. Sa për çmimet, të gjitha i kam marrë në Bullgari, sa i takon punës që kam bërë me përkthimet, nga shqipja në bullgarishte. Por, nderimi që më bëri Republika e Shqipërisë, është një gjë e veçantë për mua”, do të thoshte ajo 7 vjet më parë, kur erdhi për herë të fundit në Shqipëri.

Plagoset në aksident oficeri i policisë

DURRES – Katër persona mbetën të plagosur rëndë gjatë dy aksidenteve që ndodhën pasditen e së mërkurës në qytetin e Durrësit. Aksidenti i parë ku i plagosur mbeti punonjësi i Policisë në Drejtorinë e Qarkut Korçë, Ilir Cakërri 30 vjeç, ka ndodhur rreth orës 18;30, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë kryqëzimit të fshatit Koxhas në Sukth. Cakërri ishte duke udhëtuar nga Durrësi në drejtim të Tiranës, me mjetin e tij tip “Ford” me targa AA943CA, por papritur ka humbur kontrollin e mjetit duke u përplasur fillimisht më trafik-ndarësen e më pas ka përfunduar disa metra larg autostradës. Ai është dërguar me urgjencë në spitalin e Durrësit nga kalimtarë të rastit. Ndërsa aksidenti i dytë u regjistrua vetëm disa minuta më vonë në unazën e Shkozetit, ku në të u përfshinë të gjitha gratë e familjes Ndoi banorë të ish-Kënetës. Sipas policisë, Dila Ndoi rreth 50 vjeçe dhe dy vajzat e saj, Elisa e Paula Ndoi, përkatësisht 18 e 19 vjeç, u përplasën nga një mjet teksa ishin duke kaluar nga njëra anë e rrugës në tjetrën. Vajzat ishin duke u kthyer nga puna për në shtëpi. Për shkak të errësirës vajzave u kishte dalë përpara e ëma e tyre për t’i shoqëruar ato për në shtëpi. Por udhëtimi i tyre drejt shtëpisë është prerë në mes nga një mjet, i cili po udhëtonte në drejtim të Durrësit i ka përplasur rëndë tre kalimtaret. Sipas bluzave të bardha të katër të aksidentuarit janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po mbahen nën kontroll. l.m

Durrës, zbulohen në gomat e makinës 4 kg heroinë

Kanabisi i bllokuar në Port

DURRES – Policia e Portit të Durrësit ndal rrjedhën e drogës drejt Italisë. Plot 4 kilogramë lëndë, e dyshuar si heroinë, u bllokuar dje në tentativë për t’u trafikuar drejt shtetit fqinj, nëpërmjet tragetit të linjës Durrës-Bari. Burime të kësaj policie bënë të ditur se kontrolli i ushtruar në mjetin kamionçinë, drejtuar nga Gëzim Osmanaj, 23 vjeç, nga Skrapari, zbuloi dhe drogën e shtrenjtë. Mësohet se aksioni i zhvilluar nga punonjësit e Policisë së Portit e gjeti lëndën narkotike të fshehur në gomat e mjetit. Nisur nga linja e tragetit, destinacioni fillestar i drogës mësohet se ishte Bari, ndërsa po hetohet për të mësuar mbi lidhjet e transportuesit të drogës me persona të tjerë të implikuar. Vetëm 24 orë më parë, në Portin e Durrësit u kap një djalë e një vajzë, të cilët po transportonin me makinën e marrë me qira 36 kg kanabis sativa. Policia arrestoi Julian Përdukën, 22 vjeç, nga Lezha dhe Fisnike Hysenin, 20 vjeçe, nga Fieri. Kanë tentuar të kalojnë nga porti i Durrësit në drejtim të Italisë 36 kg drogë me një makinë të marrë me qira arrestohen në flagrancë një çift të rinjsh. Sipas Policisë, të arrestuarit janë: Julian Përduka, 22 vjeç, banues në fshatin Tresh të Lezhës dhe Fisnike Hyseni, 20 vjeçe, banuese në Fier. Dy të rinjtë janë kapur në flagrancë teksa ishin duke tentuar të kalojnë lëndën narkotike përtej Adriatikut, të cilën e kishin fshehur në gomat e makinës. Burime nga Policia bënë të ditur se malli ishte siguruar në qarkun e Lezhës, ndërsa si destinancion final kishte Veriun e Italisë. Për të kaluar drogën përtej kufirit, 22-vjeçari, nga fshati Tresh i Lezhës kishte marrë me qira për disa ditë mjetin tip “Honda” fuoristradë, me targa AA 108 AY, në të cilin u gjend kanabisi. Sapo 22-vjeçari ka ndaluar mjetin në port, ai është rrethuar nga disa agjentë të cilët nisën menjëherë nga kontrolli, duke gjetur drogën. Mësohet se të rinjtë ishin njohur në shtetin grek ku jetonin prej vitesh, megjithatë kanë synuar Italinë për të tregtuar lëndën narkotike.